100 metra qef

Shkruan: Edison YPI

100 shkrime gazete jan tmerr. 100 fjalime parlamentare jan llaftar. 100 muhabete kafeneje të kallin në varr. Ja 100 metra qef. Dyqane, restorante, minimarkete, kthesa, gardhe, dredha, shkallë, pragje, në një koklavitje marramendëse si truri i shqiptarit. Tetë kazanë mbeturinash, tetë Hamletë dyshimtarë të heshtur që zbrazen disa herë në ditë janë prova se në këto 100 metra rrugë shumë konsumohet dhe shumë qef bëhet. Agjenci udhëtimesh që të çon ku ta dojë kokrra e qefit, nga Poli në Pol dhe rretheqark ekuatorit, edhe në zgëqet më të humbura të planetit. Përballë agjencisë, dy supermarketa. Kaq makina të shtrenjta sa ka në këto 100 metra nuk i ka Shkupi. Pallate të reja banimi me apartamente moderne me çmime sa te Londrës. Disa Butik. Disa piceri me furrë druri. Dyqan bulmeti me pafundësi djathrash, qumshtash, gjalprash, me apo pa yndyrë, nga veriu apo jugu, si t’i duash. Agjenci imobiliare.

Në kafenetë më elegante se të Milanos dhe Romës hyjnë e dalin shqiptarë të shëndetshëm veshur hijshëm që nuk dallojnë aspak nga qytetarët e Europës dhe Amerikës. Nga një rrugicë anësore vjen zhurma e një matrapiku. Po hapin kanale për fibra optike. Në picerinë italiane duhet të ngjitesh me ca shkallë të përdredhura si të xhamisë. Brenda lokaleve ka pak klientë. Epo shqiptarët e sotëm nuk janë turmë, nuk janë kallaballëk, që të shtyhen edhe në restorant, janë Zotërinj. Një grek gjysëm i dehur tërheq përdore një fëmijë grindavec. Disa emigrantë flasin një italishte katastrofike tragetesh. Dy të rinj nordikë leshverdhë me çanta në kurriz nga ata që i bien botës rrotull m këmbë, nguten për kushedi se ku, ndoshta për në Pakistan ose Kinë.

Një Benz i madh xhiron rrotat duke i kallur tmerin miletit me tym dhe fëshkëllima. Dy grataçiela kanë vënë në mes një hotel me katër yje sikur e kanë arrestuar dhe po e shoqërojnë në Komisariat. Aroma deodorantësh dhe parfumesh të shtrenjta njësoj si në qëndrat e metropoleve të botës. Kalojnë me ngut vajza barkzbuluara me pantallona xhins frikshëm të shkurtëra që u dëshmojnë me përpikmëri rrënqethëse një nga gjërat më të bukura që ka mundur të bëjë Perëndia; vithet e femrës. Dy gra i thonë njëratjetrës; S’kan turp me këto xhinse. Nuk janë të sinqerta. E kanë nga zilia dhe dëshpërimi që në kohën e tyre të tilla pantollona nuk kanë mundur t’i mbathin. Disa minimarkete ku mund të gjesh gjithçka që hahet dhe pihet. Sherrin për një parkim vjen e qetëson një polic i sjellshëm.

Tre Perri flokëlëshuara të nxira kapur përdore. Perrive u ka zënë rrugën një qefli i papërmbajtur që po u mban mbi trotuar një leksion tepër të rëndësishëm; Vajza, ma hoqët trurin me këto kërthiza si kratere vullkanesh që brenda ndryjnë llavën e zjarrtë. Fundshpinat tuaja më bëjnë të dridhem si purteka. Më erren sytë kur përfytyroj çfarë mbulojnë kanotierat tuaja. Secila prej jush, është nga një univers më vete ku ka gjithçka; dete, oqeane, male, kodra, brigje, pllaja, lugina, rrafshulta, rrafshnalta, shkurre, pyje, fusha të mbjella, vreshta, përrenj, lumenj, liqere, ujvara, shumë qiej, shumë drita shumë ngjyra, shumë kaltërsira, shumë qefe. Por ka një problem. Mungon gjysma.

Ku j’u çon mushka pa tigrat, luanët, meshkujt ? Perritë me pantallona si breçka dhe gjysmat e sisëve përjashta shpërthejnë në një niagarë të qeshurash, dhe zhduken mes dritave dhe reklamave. Kalojnë me zhurmë katër motocikleta të mëdhaja me nga një djalë dhe një vajzë me skafandra. Dikush që e ka lënë Tojotën shtrembër dhe ka ikur, ka shkaktuar pikëllimin e dikujt tjetër që ngutet për diku, ndoshta në ndonjë takim sentimental, dhe shan dhjetë breza atë të Tojotës që i ka bllokuar daljen. Në një restorant një këngëtare lokale po këndon me një zë të pjerdhur “Baila Morena”. Këtu në këtë muzg, jodi, kripa, flladi, valët e detit, retë e qiellit, mpleksen aq skëterrshëm sa po s’qe i fortë edhe mund të çmendesh. Tek një hotel si kështjellë përfundojnë këto 100 metra Liri, 100 metra shpresë, 100 metra jetë, 100 metra qef.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top