Nëse i marrim si pikë reference kërkesat e aplikimeve shqiptare për Lotarinë Amerikane, atëherë mund të konstatojmë se Shqipëria është një ndër vendet që ka pasur kërkesat më të larta për shpërngulje në krahasim me numrin e popullsisë.
Sipas faqes zyrtare të aplikimeve për Lotarinë Amerikane, vetëm në vitin 2016, kërkesë për shpërngulje nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë bërë 266 000 shqiptarë.
Këto shifra alarmante të aplikimeve për shpërngulje nga vendlindja, tregojnë se shqiptarët janë duke kërkuar shpëtim nga varfëria e imponuar, terrori psikologjik, si dhe pasiguria kolektive që e mbjellin bandat kriminale të veshura me pushtet.
E tmerrshme ta imagjinosh, por shifrat e shqiptarëve që kanë aplikuar për shpërngulje në vitin 2016, tregojnë se 10% e popullsisë së Shqipërisë ka kërkuar të largohet nga vendlindja!
Tmerri i aplikimeve për shpërngulje vazhdoi edhe vitin 2017, ku numri i shqiptarëve që aplikuan për Lotarinë Amerikane arriti shifrën prej 315 000 kërkesave për shpërngulje.
Po ashtu, në vitin 2018, kjo shifër e tejkaloi çdo limit imagjinate, duke i tmerruar të gjithë demografët, me përjashtim të qeverisë socialiste të Edi Ramës! Në këtë vit, shpërnguljen e tyre drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kanë kërkuar mbi 367 000 shqiptarë!
A është e vetëdijshme qeveria e Edi Ramës, se Shqipëria e sotme numëron më pak 3 milion banorë, dhe se prej vendlindjes së tyre po kërkojnë të shpërngulen mbi 1 milion shqiptarë?!
A është e vetëdijshme qeveria e Edi Ramës, se që nga viti 2013, kërkesat për shpërngulje të shqiptarëve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rritur në mënyrë alarmante?!
A mund të presin shqiptarët ndonjë ndryshim pozitiv prej një qeverie që ua imponon varfërinë dhe shpërnguljen?